Jun 27, 2010

Bedri Blloshmi, vëllai i poetit të pushkatuar, Vilson Blloshmi, tregon torturat gjatë izolimit në hetuesinë e Librazhdit

Genci dhe Vilsoni, 1 vit tortura çnjerëzore në birucë




Komunikova me vëllanë nëpërmjet goditjeve të gishtit në mur. Ai më shpjegoi si e kishin arrestuar dhe më tha se kishte qenë 3 muaj në hetuesi në Tiranë, tek "Mine Peza", dhe e kishte marrë në pyetje vetë Kadri Azbiu. Më tha se në hetuesinë e Tiranës, kur më çonin për të kryer nevojat dhe për të ngrënë bukë, më lidhnin kokën me një batanije dhe më mbanin dy civilë për dore. Dhe në banjë kur kryente nevojat personale, policët civilë rrinin me të në banjë. Më tha se e kishin torturuar shumë dhe krahun e majtë e kishte të paralizuar nga hekurat. Ata e mbanin gjithë natën pa gjumë dhe në çdo dy orë civilat ndërroheshin. E mbanin në këmbë mbështetur pas murit, me duar të lidhura dhe qëndronte më një këmbë. Kur lodhej, binte në çimento dhe ata e çonin prapë në këmbë dhe i thoshin: "folë, a do ta pranosh propozimin e ministrit për të bashkëpunuar me sigurimin e shtetit që të shkosh jashtë shtetit?



- Zoti Blloshmi, a mund të na thoni si nisi kalvari i vuajtjeve ndaj jush?



Ka qenë 31 marsi i vitit 1976 kur më thirrën për në zborin ushtarak, por ky ishte një pretekst. Pasi u paraqita në degën ushtarake, u thashë se zborin e kisha kryer dhe u tregova fletën e zborit. Ata më thanë se fleta e zborit nuk ishtë e rregullt dhe do më çonin në Degën e Brendshme për ta sqaruar. Pasi më çuan atje, më mori në pyetje nënkryetari i Degës së Brendshme, Beqir Quku. Ndërmjet të tjerash, ai më tha se ju jeni 21 vetë në familje dhe ne 21 pushkë kundër Enver Hoxhës nuk i lëmë. Më bënë presion për t'u bërë bashkëpunëtor i sigurimit, por unë nuk pranova. Nënkryetari i Degës së Brendshme, Beqir Quku, më tha se sonte do të flesh në hotel në Turizëm dhe do të mendohesh. Më çuan atje dhe në mesnatë erdhi dhe më mori policia, më çuan në zyrë tek nënkryetari. Ai më tha: "A u mendove dhe çfarë vendose?" Unë i thashë se ajo nuk ishte punë për mua dhe nuk e bëja dot. Atëherë, ai hapi sirtarin, nxori hekurat dhe pasi më lidhi, më tha se nuk kisha për ta parë më diellin kurrë me sy. Që nga nata që më thirrën për në zbor, mua më vunë prangat dhe më futën në birucë, dhe nuk kisha asnjë lidhje me botën përjashta qelisë. Gjatë gjithë kohës së hetuesisë në Librazhd vinte një i dërguar special nga Tirana, i cili quhej Dhimitër Beshiri. Ai nuk ndahej për asnjë çast nga shefi i hetuesisë së Librazhdit, Selim Caka.



- Po Vilsonin, vëllanë tuaj, si e arrestuan?



Pas 3-4 muajsh vura re se një nga qelitë mbahej kyçur me dy çelsa dhe e vulosur me dyll. Kjo birucë nuk hapej nga polici siç hapeshin birucat e tjera, por largohej polici dhe hapej nga vetë kryetari i Degës së Brendshme për të kryer veprimet. Pas ca kohësh, në një moment që polici i birucave ishte në banjo, dëgjova një zë nga një birucë tjetër: "O dyshi, o dyshi, mbaj qëndrimin që ke mbajtur, mos prano asgjë nga ato që të thonë". Unë isha në birucën nr.2 dhe e pyeta atë që më foli: "Kush jeni ju?". "Jam Vili, Vili, - më tha. "Përse të kanë arrestuar", - i them unë? Ai më tha: "Për librat, për poezitë, se m'i kanë marrë të gjitha, punë agjitacioni". Në këtë kohë, polici e kapi duke folur dhe e pyeti se me kë foli dhe pse. Menjëherë u alarmua e gjithë Dega e Brendshme, erdhi kryetari i degës dhe shefi i hetuesisë, e morën vëllanë lart dhe i thanë pse foli. Ai u kishte thënë se nuk kishte folur me asnjë njeri. Pastaj më morën mua, më pyetën se me kë kisha folur në birucë. Unë u thashë se nuk kisha folur me asnjë njeri. Mbas ca kohësh, vëllai i binte murit të birucës, duke trokitur 36 herë me gisht. Kur unë i përgjigjesha po me goditje për t'i thënë se e kisha kuptuar sinjalin e tij, ai ma priste duke më thënë se nuk kisha kuptuar gjë. Një mbasdite, Vilsoni po fliste me policin, duke i thënë se ti je me shkollë dhe i zgjuar, por po më numërove alfabetin që janë 36 gërma, atëherë je me të vërtetë i zgjuar. Polici ia ktheu: ore, ç'më duhet mua alfabeti, unë kam çelsat në dorë. Atëherë, unë e kuptova që sinjali që më jepte vëllai ishin 36 gërmat e alfabetit dhe kur iku polici, shkrova të gjitha gërmat në mur, dhe vura numrat për t'i korresponduar. Pastaj komunikova me vëllanë nëpërmjet goditjeve të gishtit në mur. Ai më shpjegoi si e kishin arrestuar dhe më tha se kishte qenë 3 muaj në hetuesi në Tiranë, tek "Mine Peza", dhe e kishte marrë në pyetje vetë Kadri Azbiu. Më tha se në hetuesinë e Tiranës, kur më çonin për të kryer nevojat dhe për të ngrënë bukë, më lidhnin kokën me një batanije dhe më mbanin dy civilë për dore. Dhe në banjë kur kryente nevojat personale, policët civilë rrinin me të në banjë. Më tha se e kishin torturuar shumë dhe krahun e majtë e kishte të paralizuar nga hekurat. Ata e mbanin gjithë natën pa gjumë dhe në çdo dy orë civilat ndërroheshin. E mbanin në këmbë mbështetur pas murit, me duar të lidhura dhe qëndronte më një këmbë. Kur lodhej, binte në çimento dhe ata e çonin prapë në këmbë dhe i thoshin: "folë, a do ta pranosh propozimin e ministrit për të bashkëpunuar me sigurimin e shtetit që të shkosh jashtë shtetit? Ne e dimë se ti këtë punë e bën, se je shumë i zgjuar, pasi di disa gjuhë të huaja, frëngjisht, anglisht, gjermanisht, italisht dhe turqisht". Ai nuk pranoi dhe ata fillonin nga e para torturat. Në birucë brenda, me kokë të lidhur me batanije, i sillnin njerëz të ndryshëm dhe i flisnin frëngjisht, anglisht, gjermanisht, italisht dhe turqisht dhe i thoshin: "ku i ke mësuar këto gjuhë, sa mirë i ke mësuar". Në birucat e Librazhdit u bë edhe një dhomë speciale e veshur me sfungjer, me karrige dhe tavolina të fiksuara për të na hetuar vetëm neve.



- Po arrestimin e Genc Lekës, si e more vesh?



Në birucë më sollën dhe një të arrestuar tjetër, dhe pasi u prezantuam, ai më tha: "Ka ca ditë që tek Drejtoria e Ndërmarrjes Bujqësore arrestuan një njeri që e akuzonin se ka shkruar emrin e Enver Hoxhës me bojë të zezë. Unë e pyeta si quhej, ndërsa ai më tha se quhej Genc Leka, një mësues nga Bërzeshta, që punonte në fermë. Ai më tha se arrestimi i Genc Lekës bëri shumë bujë dhe njerëzit thoshin që mirë ia bënë, sepse ka shkruar emrin e shokut Enver me bojë të zezë. Pastaj unë zbulova, nëpërmjet kodit me të goditur në mur, se Genci ndodhej në birucën nr.1, ngjitur me birucën time. Gjatë gjithë kohës mua nuk më pyetën as për Vilsonin dhe as për Gencin. Mbas 11 muajsh na dhanë akt-akuzën dhe prisnim të dilnim në gjyq. Pas dy-tre javësh erdhi hetuesi im Lulo Ymeri dhe shefi i hetuesisë, Selim Caka, dhe mbasi më lidhën në birucë më morën sipër. Ma mori akt-akuzën Selim Caka, e grisi dhe më tha: "Do t'iu presim një kostum tjetër".



- Ç'mund të na thoni për gjyqin që u zhvillua ndaj jush?



Mbas dy-tre muajsh, në datën 6 qershor 1977, më njoftoi përgjegjësi i birucave, duke më thënë se nesër do të dilnim në gjyq. Gjyqi u bë në sallën e kinemasë së Librazhdit. Pasi na çuan atje të lidhur me hekura dy e nga dy, pamë se salla ishte e mbushur plot me njerëz të zgjedhur nga sigurimi, disa prej të cilëve unë i njihja gjatë kohës së hetuesisë. Brenda në sallë ishin 26 policë, plus dy që rrinin tek dera me kallashnikovë në dorë. Gjyqi i parapërgatitur filloi me dëgjimin e të ftuarve specialë që ndodheshin në sallë. Në sallë, para gjykatësve specialë, vinin dhe flisnin njerëz të panjohur, lexonin atë që u kishin përgatitur. Kishte nxënës nga shkollat e mesme, nga ushtria, mesa mbaj mend ai që lexoi në emër të ushtrisë quhej Isa Kopaçi, foli një i quajtur Todi Bardhi, dhe tha se ishte kryetar kooperative. Në trupin gjykues ishte edhe një civil i ardhur nga Tirana, i cili, gjatë seancave, shpesh konsultohej me kryetarin e trupit gjykues, Subi Sulçe. Ishin edhe shumë të tjerë që diskutonin, por nuk ua mbaj mend emrat. Në të gjitha seancat, për gjashtë ditë rresht, prokurori, një njeri me ngjyrë, mbante në dorë të tri akt-ekspertizat që ishin firmosur nga Diana Çuli dhe dy shkrimtarë të tjerë. Prokurori ndërpriste vazhdimisht seancën, drejtohej nga ne duke tundur në dorë tre akt-ekspertizat dhe thoshte: "Më fal, zoti gjyqtar, ja këto do t'ua hanë kokën këtyre se kanë vjellë vrer dhe vetëm vrer, por pas pak do t'u hanë kokën se do ta pinë vetë vrerin". Kjo gjendje vazhdoi gjashtë ditë dhe ditën e gjashtë u dha pretenca. Kryetari i trupit gjykues tha se duke marrë për bazë mendimin e sallës, (këtu bëhet fjalë për njerëzit e ftuar specialë që ishin parapërgatitur dhe kërkuan dënimin tonë me vdekje), po japim pretencën për të tre të pandehurit. Genc Leka me vdekje, me pushkatim, Vilson Blloshmi, vdekje, me pushkatim, Bedri Blloshmi, vdekje me pushkatim. Vlen të theksoj se familjarët tanë nuk morën pjesë në asnjë nga seancat tona gjyqësore, sepse nuk i kishin njoftuar. Ata ishin njoftuar nga njerëz të ndryshëm në fshat për dënimin tonë me vdekje.



- Zoti Blloshmi, pas vendimit të gjykatës, Vilsoni dhe Genci u pushkatuan, ndërsa juve iu fal dënimi me vdekje. Si i shpëtuat plumbit?



Më 12 qershor të vitit '77, pasi u dha pretenca, Vilsonin, Gencin dhe mua na çuan nëpër biruca dhe na lidhën kokë e këmbë. Mbas 30 minutash, në birucën ku ndodhesha unë u fut përgjegjësi i birucave, Axhem Dajlani, i cili mbante në dorë një grumbull litarësh dhe zinxhirësh, ndërsa një polic kishte në dorë helmetën në të cilën ishte stampuar harta e Shqipërisë. Mbasi më lidhi këmbët me një hekur në formë u-je, më lidhi edhe duart me hekura dhe më vendosi një litar tek këmbët dhe tek duart. Në kokë më vendosën helmetën. Atë natë unë nuk fjeta fare. As që e kuptova se kishte rënë dita. Papritur u hap dera dhe hyri brenda shefi i hetuesisë, kryetari i Degës së Brendshme dhe përgjegjësi i birucave, i cili më zgjidhi këmbët, më hoqi helmetën dhe m'i lidhi duart prapa dhe më drejtuan tek makina tip Gaz, i zbuluar. Aty pashë Vilsonin dhe Gencin që ishin vendosur kurriz më kurriz të lidhur ashtu si unë dhe një grumbull policësh i mbanin për supesh. Ata qëndronin të ulur në makinë. Më ulën edhe mua pranë tyre në kurriz, në mes na ndante një rrjesht me policë. Mbasi në makinë hipën edhe disa policë të tjerë të armatosur gjer në dhëmbë, makina u nis si në kortezh. Gjatë rrugës, në të dyja anët kishte shumë njerëz që mbanin parrulla në duar si "Rroftë shoku Enver", "Armiqtë në litar" dhe shumë parrulla të tjera.

Na futën në sallën e gjyqit për të na dhënë vendimin e gjykatës. Mbasi bënë një përmbledhje për ato gjëra që u interesonin atyre, e mori fjalën prokurori, i cili tha: "I pandehuri Genc Feim Leka dënohet me vdekje, pushkatim. I pandehuri Vilson Sami Blloshmi, dënohet me vdekje, pushkatim. I pandehuri Bedri Sami Blloshmi, megjithëse të tre janë njerëz të pandreqshëm dhe janë dy vëllezër, ne vendosëm që t'i falet jeta dhe të dënohet me 25 vjet heqje lirie". Mbas vendimit të gjykatës na çuan nëpër biruca. Përballë birucës së Gencit dhe Vilsonit, në korridor u vendos një polic i veçantë që kujdesej për ta, ndërsa brenda në birucë futën nga një të dënuar tjetër. Kjo gjendje zgjati plot 35 ditë që ata prisnin vdekjen me sy hapur, të lidhur kokë e këmbë. Më datën 17 korrik 1977, ishte ditë e dielë dhe neve na erdhën familjet në takim. Erdhi polici dhe më nxori në takim. Pashë se kishe ardhur nëna me motrën, nëna më shumë qante se sa fliste. Ajo mesa duket kishte kërkuar të takonte Vilsonin para meje, por ata i kishin thënë se do të takosh vetëm Bedriun. Nëna më pyeti: "Hë, mor bir, si u bë, ç'hata na gjeti kështu? Ku është Vili i nënës". Në takim merrte pjesë kryetari i Degës së Brendshme, Medar Hasa, shefi i hetuesisë, Selim Caka, nënkryetari i Degës së Brendshme, Spiro Lera, hetuesit Lulo Ymeri, Ligor Kondili dhe shumë të tjerë që nuk i njihja. Nëna iu lutej atyre: "Ma nxirrnin djalin që ta shoh", ata qëndronin në këmbë pa lëvizur dhe nuk flisnin. Takimi mbaroi. Më çuan në birucë. Mua, edhe pse m'u fal jeta, isha shumë i tronditur dhe nuk haja ushqim rregullisht. Sa herë që hapeshin birucat për të shkuar në banjo, i pari dilte Genci me zinxhirë nëpër këmbë. Kur afrohej tek biruca ime që ishte përballë banjës, ai kollitej që ta dëgjoja unë edhe unë ia ktheja duke u kollitur nga brenda. Kur e çonin në banjë, policët ia zgjidhnin këmbët dhe me një litar të lidhur në duar, dy policë e merrnin për krahu dhe u fusnin në banjo, ndërsa polici tjetër mbante cepin e litarit dek dera jashtë. Mbasi dilte nga banja, e lidhnin prapë dhe e çonin në birucë. Të njëjtën gjë bënin edhe me Vilsonin. Vilsoni kollitej gjatë gjithë korridorit, deri sa shkonte tek banja, të njëjtën gjë bëja edhe unë nga brenda. Një natë vjen shefi i hetuesisë, Selim Caka, dhe hap derën e birucës time. Të gjithë të dënuarit u ngritën në këmbë, unë nuk u ngrita. Shefi i hetuesisë m'u drejtua: "Po ti, kulak, pse nuk ngrihesh në këmbë?". Unë ia ktheva: "Unë nuk kam as respekt, as frikë nga juve". Selimi vazhdoi: "Atëherë dëgjomë, përgjigja nga Gjykata e Lartë erdhi. Ti e ke aq sa ta dhamë ne, pastaj më vonë të shohim". Unë e pyeta a ka ndonjë ndryshim në vendimin që u mor në Librazhd për dy të tjerët? Ai ma ktheu: "Do zbatohet vendimi i gjykatës së Librazhdit". Në atë çast mori një të dënuar nga biruca ku ndodhesha unë dhe e çoi në birucën nr.1 ku ishte Genci, dhe në birucë u dëgjua një zhurmë e madhe. Polici kërkoi me urgjencë mjekun. Mesa kuptova unë, Genci ishte njoftuar për mosndryshimin e vendimit për pushkatim. Po atë natë vjen përgjegjësi i birucës me disa policë dhe më dhanë ushqim me forcë. Unë, për gjithë natën, nuk ndjeva gjë fare se çfarë kishte ndodhur. Kur më nxorën në mëngjes për në banjo, hodha sytë nga biruca e Gencit dhe e Vilsonit, dhe pashë se këpucët dhe polici nuk ishin. Atëherë më ra të fikët dhe kur u përmenda isha i shtrirë në birucë. Natën e dytë, personi që ishte në birucë me Vilsonin, një i quajtur Rustem Dashi, erdhi në birucën time. Ai më tha se në çastin që erdhën policët për ta marrë, më tha: "Rustem kam parë një ëndërr", por nuk e mbaroi fjalën se në atë kohë u hap dera dhe hynë policët brenda, i zgjidhën këmbët dhe e morën me duar të lidhura prapa. Unë i hodha xhaketën mbi shpinë. Ai u kthye tek dera dhe më tha: "Rustem, ma bëj hallall, ti do dalësh shpejt nga burgu dhe do të të lë një amanet, se Bedriu është dënuar shumë. Kur të lirohesh, u thuaj në shtëpi se Vilsoni nuk u ka turpëruar dhe nuk ka pranuar asgjë. Lamtumirë!". Pas dy-tre javësh, mua më morën dhe më dërguan në Tiranë, në kaush, prej aty më degdisën në Spaç të Mirditës.



"Saharaja", poezia që pushkatoi poetin Vilson Blloshmi



Bedri Blloshmi, vëllai i poetit të pushkatuar, tregon si u persekutua e gjithë familja e tij nga regjimi



Kishim kohë që vazhdonim kërkimet për gjetjen e vendit ku u pushkatuan dy poetët Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, në vendin e quajtur Përroi i Firarit, një zonë malore që është rreth 10 km larg qytetit të Librazhdit, por nuk po gjenim gjë. Një ditë, ndërsa ne vazhdonim kërkimet, një ish-nënoficer në një repart ushtarak, në anë të rrugës nacionale tek rruga që të çon për në Zgarë, na tha rastësisht se "e di unë vendin e pushkatimit". Ai i kishte treguar një kushëririt tim se ku ndodhej vendi i pushkatimit. Shkova menjëherë tek vendi, gërmova dhe gjeta të dy skeletet e Vilsonit dhe Gencit, ngjitur me njeri-tjetrin, në një gropë në luginën e Përroit të Firarit. Ditën që u bë zhvarrimi, në gropë kam gjetur edhe njërin nga plumbat që vranë poetët



- Zoti Blloshmi, a mund të na thoni si ka nisur persekutimi dhe përndjekja ndaj familjes suaj nga regjimi komunist?



Persekutimi i familjes tonë ka filluar qysh më 26 tetor të vitit 1944 kur u pushkatua vëllai i babait tim, Azis Blloshmi, të cilit edhe sot e kësaj dite nuk i janë gjetur eshtrat. Në vitin '46 jemi shpronësuar nga pasuritë e patundshme dhe në tokën tonë pranë Shkumbinit u vendos një repart ushtarak që drejtohej nga Petrit Dumja. Në vitin '50 me arratisjen e Bardho Lekës, babai i Gencit, jashtë shtetit, u arrestua xhaxhai jonë Hasan Blloshmi me akuzën "strehim diversantësh" dhe u dënua 20 vjet heqje lirie dhe sekuestrim të gjithë pasurisë. Akoma pa dalë xhaxhai nga burgu, në vitin '63 u arrestua babai im, i cili u dënua për agjitacion dhe propagandë dhe qëndroi 7 vjet në burg. Dhe këtë radhë nuk do të mungonte sekuestrimi i pasurisë. Pas pak kohësh u dënua xhaxhai tjetër, Bukuroshi që punonte në Stravaj.

Në vitet '69-'76 ishte periudha që ne u bashkuam të gjithë në shtëpi, pasi ishin liruar të gjithë nga burgu. Në vitin '76 nisi një tjetër valë edhe më e egër arrestimesh dhe internimesh, duke filluar me arrestimin tim, të Vilsonit dhe Gencit. Më 27 korrik 1977, dhjetë ditë pas pushkatimit të Gencit dhe Vilsonit, u internua komplet familja ime. Sapo mbërritën në qendrën e internimit, sigurimi i shtetit thirri xhaxhanë tim, Hasanin për të bërë rregjistrimin në vendbanimin e ri. Sapo ai futet në zyrë i venë hekurat dhe e dënojnë me 10 vjet burg për agjitacion dhe propagandë dhe e sollën në Burgun e Spaçit ku ndodhesha edhe unë. Në korrikun e vitit 1982 xhaxhai sëmuret dhe e çojnë në Spitalin e Burgut në Tiranë ku edhe vdes. Trupin e tij e kam gjetur mbas shumë kërkimesh në varrezat e Shish-Tufinës në Tiranë. Tani ai prehet pranë prindërve të tij në Bërzeshtë.



- Sa vjet qëndruat në burg dhe kur u liruat?



Siç e thashë, Gjykata e Librazhdit më dënoi me 25 vjet burg. Në burg qëndrova që nga arrestimi më 1 prill 1976 dhe më 29 mars 1991 u lirova nga burgu i Burrelit. Gjatë gjithë kohës që kam qenë në burg, unë mendoja se në rast se do të dilja i gjallë nga burgu, puna e parë që do të bëja, do të kërkoja vendin ku ishin pushkatuar Vilsoni dhe Genci. Në zgjedhjet e 31 marsit të vitit 1991 shkova për të votuar. Komisioni i votimit më tha se ti nuk e ke emrin, megjithatë, unë votova. Prita rezultain e zgjedhjeve, por prapë fitoi Ramiz Alia. Atëherë mora rrugën e arratisë dhe ika për në Greqi. Ishte koha kur ishte ndryshuar ligji i arratisjes me pushkatim ishte bërë në dënim me gjobë, por kallashi në kufi vazhdonte të merrte jetë njerëzish. Në Greqi, qëndrova 7 muaj. Atje u takova edhe me djalin e Gencit, Petrikën. Petrika komunikonte shpesh me familjen e tij në Korçë dhe edhe me familjen time në Bërzeshtë të Librazhdit. Mbasi më mori dy-tre herë në telefon familja u detyrova të kthehesha, sidomos pas kërkesës së nënës, e cila më tha hadje se më mirë të jemi të varfër, por bashkë. Në atë kohë edhe familja ishte kthyer nga internimi dhe e gjeti shtëpinë krejt të shkatërruar.



- Ndërkohë, eshtrat e dy poetëve të pushkatuar nuk dihej se ku ishin groposur nga diktatura. Si e gjetët vendin ku ishin pushkatuar Vilsoni dhe Genci?



Pas 7-8 muajsh u ktheva nga Greqia në Shqipëri. Vendosa të kërkoj Gencin dhe Vilsonin. Me anë të një oficeri të sigurimit shkova në vendin e quajtur Përroi i Firarit, një zonë malore që është rreth 10 km larg qytetit të Librazhdit. Oficeri i sigurimit më shpjegoi përafërsisht vendndodhjen, por më tha se dokumentat mos m'i kërko se nuk t'i tregoj. Unë atëherë ika dhe qëndrova në Tiranë, por kam shkuar me dhjetëra herë tek Përroi i Firarit dhe punoja, duke hapur me dhjetëra gropa për të gjetur Vilsonin dhe Gencin. Kaluan muaj e muaj dhe nuk gjeta asgjë. Atëherë fillova të interesohem në Librazhd. Një kushëriri im më tha, se ishte interesuar dhe kishte gjetur njeriun që kishte hapur gropën e pushkatimit. Njoftova edhe Petrikën dhe lamë takimin në Librazhd. Takova personin që dinte vendin, nuk iu prezantova, por e gënjeva, duke i thënë se vij nga Ministria e Brendshme. I thashë se në vitin 1977 këtu në Librazhd është bërë një gjyq dhe janë pushkatuar dy veta dhe në bazë të dokumentave keni qenë ju, ai që keni hapur gropën e pushkatimit. Ai nuk hezitoi, por më tha, po, unë e di ku është, por do të shkoj në shtëpi dhe pas 5 minutash takohemi tek lokal "Sopoti". Petrika më priste në lokal dhe kishte pirë ca gota me raki. Kur erdhi personi që bisedova unë, Petrika iu prezantua, duke i thënë, "unë jam djali i Gencit".

Dolëm nga lokali dhe personi që do na çonte tek vendi më tha se do të dalim një nga një nga qyteti që të mos na shohë njeri. Pasi lamë rrugën nacionale filluam të ngjiteshim në këmbë malit përpjetë. Petrika ishte më mbrapa me një kushëririn tim, kurse unë ecja përpara me personin në një distancë të afërt. Ai filloi të më pyeste, "Sa mirë djali i Gencit po interesohet për babain e vet, ndërsa ata të Blloshmit nuk ndjehen fare. Familjen e tyre unë e kam njohur në internim dhe ishin njerëz të mirë. Ata dy djem u pushkatuan kot". Unë mundohesha t'i shmangesha dhe ndonjëherë i përgjigjesha pyetjeve të tij. Më pas më tha se, "ata kanë patur edhe një tjetër në burg dhe shumë të burgosur të tjerë janë liruar, por ai nuk është bërë i gjallë. Ka mundësi të jetë vrarë në burg". Unë përsëri nuk i tregova se kush isha.

Kur mbërritëm tek vendi që dinte ai, aty ai pa vendin që kisha gërmuar unë më përpara dhe u çudit. Pastaj pyeti kush mund të ketë gërmuar këtu. Unë iu përgjigja, kemi ardhur ne nga Ministria dhe kemi gërmuar disa herë këtu dhe nuk i kemi gjetur. Ai këmbënguli, vendi është vetëm ky. Këtu gërmoni se do t'i gjeni. Pasi qëndruam ca aty, u kthyem përsëri për në Librazhd. Prej andej unë ika për në Tiranë. Pas shumë kërkimesh përsëri nuk i gjetëm.

Një ditë, ndërsa ne vazhdonim kërkimet, një ish-nënoficer në një repart ushtarak në anë të rrugës nacionale tek rruga që të çon për në Zgarë, na tha rastësisht se, "e di unë vendin e pushkatimit". Ai i kishte treguar një kushëririt tim se ku ndodhej vendi i pushkatimit. Shkova menjëherë tek vendi, gërmova dhe gjeta të dy skeletat e Vilsonit dhe Gencit ngjitur me njeri-tjetrin në një gropë në luginën e Përroit të Firarit. Ditën që u bë zhvarrimi, në gropë kam gjetur edhe njërin nga plumbat që vranë poetët



- Ku u bë rivarrimi i dy poetëve?



Rivarrimi i dy poetëve të pushkatuar u bë me nderime në prill të vitit 1994, në varrezat e Librazhdit. U varrosën pranë njëri-tjetrit ashtu siç ishin edhe në jetë të pandarë. Në këtë ceremoni merrte pjesë kryetari i Parlamentit të asaj kohe, zoti Pjetër Arbnori, shumë deputetë të PD, përfaqësues nga shoqata e të përndjekurve politikë, dhe mijëra qytetarë. Po atë ditë, Presidenti i Republikës, zoti Sali Berisha, i nderoi me titullin e lartë "Martir i Demokracisë". Po ashtu në Librazhd dy shkolla mbajnë emrat e dy poetëve të pushkatuar, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Me interesimin e shkrimtarit të madh Ismail Kadare dhe ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zotit Bujar Leskaj dhe qeverisë demokratike, në qytetin e Librazhdit u ngrit edhe memorali i dy poetëve të pushkatuar, një vepër me vlera të mëdha artistike, krijuar nga skulptori i talentuar Sadik Spahija. Ditën e inagurimit të Memorialit, Bashkia e Librazhdit u dha titullin "Qytetar Nderi". Pak ditë më parë, nën kujdesin e shkrimtarit të shquar Ismail Kadare u përurua edhe vepra letrare dhe monografi me autor Sadik Bejkon. Në këtë vepër janë përfshirë të gjitha krijimet e poetëve, letërkëmbimet dhe përkthime nga autorë të shquar francezë. Parathënia e librit është shkruajtur nga shkrimtari Ismail Kadare.



Bisedoi: Rexhep POLISI



VILSON BLLOSHMI



SAHARAJA



Saharaja, larg është Saharaja,

Saharaja shkëmb e rërë e gurë,

Që ka shok veç emrin e saja

Dhe ngaqë s'sheh ëndrra, s'sheh as drurë.

Saharaja s'di të ëndërrojë.

Ajo bluan gurë në mënt' e sajë…

Saharaja s'ka këngë të këndojë,

Saharaja s'ka as lot të qajë.

Saharaja nuk ka miq e shokë,

Saharaja nuk ka bijë e birë.

Saharaja është një copë tokë,

Thonë se dhe natën nuk shkon mirë.

Natës s'i pëlqen në Sahara,

S'i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;

Fjalë e dashuri e njerëz s'ka;

Perç' e sajë e zezë s'ka ç'të mbulojë.

As dhe një s'e di si është kandisur

Me kët' plagë mbi shpinë rruzullimi,

Porse thonë në botë është stisur

Kur i duhej njerëzisë mallkimi.

Kur ai për keq e mban në gojë;

Saharaja e mban vesh e qesh;

Saharaja fillon të gëzojë

Kur ne të mallokohemi mes nesh.

E kur bije ndrojtur rrez' e diellit

Dhe mbi gurët e pamyshkët ndrit;

I ngjan vello savani i qiellit,

Shkretëtirës shket e shkrepëtit.

Prandaj kur urrejtje e fortë e nxehur

Mbi dikë mallkon e shfryn e shanë,

Që nga skuta del kujtimi i dehur

Dhe thërret menjëherë Saharanë.

Kur mallkimi çfryn e kur kujtimi

Në pusinë e harresës tret…

Kur hynë dielli e kur hesht thëllimi

Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë.



25.10.1973



25.10.1974

No comments:

Post a Comment