Jun 27, 2010

parë në ndërtekstin poetik.

Kjo kumtesë është paraqitur dhe lexuar nga autori në edicionin e parë të veprimtarisë “Ditët e Albanologjisë”, që u zhvillua në Qendrën e Studimeve Albanologjike, nga datat 14,15,16 dhjetor 2009, në Tiranë. “Vilson Blloshmi e Genc Leka, vepra e plotë e autorëve të pushkatuar nga diktatura” Kultura është pasaporta më e mirë për t’iu paraqitur Europës si prezantim i vërtetë i ndërgjegjes shqiptare që u tregon kombeve të qytetëruar se aspiratat dhe dëshirat tona i përkasin Europës dhe familjes së kombeve të përparuara. Vepra e Vilson Blloshmit dhe e Genc Lekës i bashkohet humanizmit evropian të prodhuar në inteligjencë, në kulturë e të ardhur përmes shekujve nga Barleti, Budi, Bogdani, Buzuku, Ismail Qemali, Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Mitrush Kuteli, Eqerem Çabej, Ibrahim Rrugova, Shaban Demiraj, Sabri Hamiti, etj, etj, që ka qenë në të gjitha kohërat ecje përkrah të njëjtave aspiratave humane, përkrah të njëjtit qytetërim evropian. Diktatura i shfarosi të gjitha mendjet e iluminuara nga kultura evropiane, së cilës ne i përkisnim, le ta themi pa droje edhe gjenetikisht. Më shumë se për jetën e tyre, për këtë pikëtakimi me humanistët më të mëdhenjë europianë, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, u bënë martirë. Tashmë që vepra e plotë e tyre ka parë dritën e botimit, duke i lexuar ato, jemi të bindur se metafora dhe alegoria politike në poezitë e tyre dëshmojnë për një ushqim martirizimi, për formimin dhe botëperceptimin iluminist të tyre. Identiteti perëndimor i shqiptarëve nuk është një histori që lëkundet nga perëndimi në lindje, por është një shkollë e mundimshme e ndërtuar mbi sakrificat, dijet dhe gjykimet e idealistëve, atdhetarëve ose intelektualëve të shquar, ku poetët e Librazhdit, Blloshmi dhe Leka, qëndrojnë denjësisht. Poetët e Librazhdit nuk ishin thjesht inteligjentë, por ishin intelektualë të mirëfilltë dhe megjithëse jetonin në provincë ishin individë të spikatur, me aftësi e dëshirë për të krijuar vlera materiale, ideore, kulturore, por edhe me kurajën e plotë për t’u civilizuar, për të ndihmuar shoqërinë ku jetonin. Poetët e Librazhdit ishin intelektualë të kulturuar. Kulturë, do të thotë ngritje shpirtërore dhe fisnike, çka i dallonte ata nga të tjerët, bashkëkohësit. Regjimi komunist i ndëshkoi, vulosi fatin e jetës së këtyre dy poetëve (atyre ua prenë jetën në mes, pjesërisht edhe veprës letrare të tyre). Vetëm 15 vjet më vonë, kjo vepër u njoh falë punës së palodhur të vëllait tjetër hero, Bedri Blloshmit, dhe iu hodh dritë prej zërit të intelektualëve të shquar, Ismail Kadare, Sadik Bejko, S.Spahia, I. Shehu, E.Lafe, A.Tufa, etj, etj. Duke iu referuar studimeve më të hershme, përkorë poetëve e shkrimtarëve të kohës që i përkitën alternativës moderne, për të kuptuar më mirë se çfarë ka ngjarë kohë më parë me mbulimin e veprës së këtyre poetëve, dhe çdo të ngjas pastaj me zbulimin e saj, le t’i referohemi një studimi të Sabri Hamitit në librin e tij “Albanizma”, ku analizon krijimtarinë e Zef Zorbës: “Evidencat thonë se modernizmi shqiptar u shua, mbaroi më 1945. Ideologjia komuniste pushtoi pushtetin, teoria revolucionare-shoqërinë, kurse teoria e real-socializmit fushat e krijimtarisë, duke përfshirë letërsinë. Në këtë valë përjashtuese, s’mbeti rend për alternative”, shkruan S.Hamiti. Por përkundër kësaj, studiuesi Hamiti argumenton teorinë e zbulimit dhe kërkimit të alternativave, duke shtruar tezën: “Po ç’ndodhi me krijimtarinë që lindet në heshtje, pa bërtimat publike e përjashta tyre. Këtu rri enigma e kulturës shqiptare për gjysmë shekulli. Kërkimet do të sjellin zbulime të habitshme, që dëshmojnë se modernizmi shqiptar është zhvilluar në heshtje, tinëz, në fshehtësi” Pas daljes në dritë të veprës së Vilson Blloshmit në 2008-ën, falë kontributit të madh të Bedri Blloshmit dhe studiuesit Sadik Bejko, përfshi dhe bashkëpunëtorët e sipërpërmendur, këtë vit u bë i mundur botimi i veprës së plotë të Genc Lekës. Intelektuali Genc Leka kurrë nuk u nda nga poeti Vilson Blloshmi, edhe pse e dinte që një ditë i njëjti zjarr ndëshkues do t’i digjte të dy bashkë. Leka pati të njëjtat pasione, letërsinë, përkthimin, poezinë, por ndryshe nga Vilsoni, si një punëtor mendjeje, si një studiues skrupuloz punonte ditë e natë mbi idetë etnografike, gjurmimeve folklorike e të traditës. Çdo gjë që zbulonte përpiqej t’ia ofronte shkencës etnografike shqiptare me arsyetim të shëndoshë dhe shkencor. Aty përmes asaj kaligrafie të artë, studimeve të shumta me shkrim dore, të mbledhura me vullnet të paepur, janë fshehur thesare të etnografisë sonë. Me brumin e tyre, profesorët që i bënë aktekspertizën kanë bërë dikur leksionet dhe dispensat akademike, duke kopjuar fshehtas veprën e “armikut të klasës”. Kur lexon veprën me studime etnografike të Genc Lekës, dallon një përpjekje për t’u përshtatur me kërkesat e kohës në vepër. Megjithatë, pavarësisht orientimeve ideologjike që i ishin dhënë për të mbledhur kulturën e trashëguar të jetesës, ai u prezantua me mendjen e hollë të një studiuesi që ka pasur dashuri, nostalgji dhe respekt për traditën dhe nuk harroi asgjë pa e mbledhur e shënuar. Tashmë ato punime janë një kontribut në shkencën tonë etnografike e folklorike, kontribut që me sa duket edhe i censuruar, i mbyllur në arkiva është “mjelë” mirë nga plagjiatorët, studiuesit e paaftë, që iu deshën regjimit për t’i përdorur. Elemente të këtyre studimeve i i kemi lexuar më vonë nga profesorët që regjimi i përdori dhe me daljen në dritë rishtas të veprës së plotë të Genc Lekës, shohim se këto kërkime kanë qenë gati për ata spiunë, për studiuesit pa skrupuj, të cilëve Genc Leka u ka ndjerë që në zanafillë edhe vdekjen e shpirtit. Për të rrëfyer këtë ai ka lënë shënim dy vargje: Spiunët “Në sahanët e sigurimit Pinë helmin e helmimit” Blloshmi e Leka ishin në çdo kohë bashkë, shpirtërisht e mendërisht, simbiozë e një mendjeje të ndritur, prandaj ata u martirizuan bashkë. Jo rrallë herë duke pasur në dorë veprat e tyre, njëri hedh dritë mbi tjetrin. Por, ngaqë i pari, Vilson Blloshmi, përfaqësohet me një vepër më të plotë letrare, aty kam ndjerë nota të një proteste inteligjente të këtij poeti ndaj sundimit diktatorial dhe izolimit nga bota e qytetetëruar, edhe pse nuk u shpreh në një konfrontim të hapur, sy për sy, por një në një konfrontim që vinte së thelli dhe së brendshmi, natyralisht. Jo më kot, poezia e tij “Saharaja” iu nënështrua një aktekspertize letrare në hetuesitë e të gjitha shkallëve, bashkë me blloqet e poezive dhe përkthimeve që kishte bërë Vilson Blloshmi. “Saharaja s’di të ëndërrojë Ajo bluan gurë me mend e saj Saharaja s’ka këngë të këndojë Saharaja s’ka as lot të qajë” Edhe pse poezia është e ndërtuar mbi një simbolikë klasike dhe të pastër, të vetëmjaftueshme për ta qasur Saharanë me çdo shkreti të kësaj bote, shpirtërore, mendore, morale, gjeografike dhe politike, fabula e saj nuk ka asgjë të ngjashme me Shqipërinë, por mjafton njëri prej elementeve të saj, muzikaliteti që përcjell kjo poezi, sa për ta mbartur përkatësinë origjinale dhe zanafillore të lindjes së simbolit letrar Saharaja, shkretëtira e Vilsonit, jona. Në kohën që e shkroi, ka pasur dëshpërim, e ka pohuar me gojën e tij në hetuesi. Muzikaliteti tradicional i vargëzimit shqip, nuk ishte dhe aq në stilin e poetit, por ka bërë gjithëkënd të kuptojë se ky fakt rrëfen se simbolika ka pikënisje protestën për gjendjen e Shqipërisë, izolimin e saj, shkretimin intelektual e shpirtëror. Nuk ka pasur aspak qëllim propagandistik, siç e kanë akuzuar dhe për të cilin e ekzekutuan. Vilson Blloshmi si poet i mirëfilltë, nuk e konceptonte dot ta përfshinte artin e tij në një mision propagandistik. Gjatë gjithë pyetjeve që ka bërë hetuesia, duke e mbajtur si të pandehur, merr të njëjtën përgjigje; ai bënë një art që del nga shpirti, por edhe një art që e lejon atë dhe të tjerët të shikojnë se diktatura komuniste është dhuna më absurde ndaj njerëzimit. Tek idealisti dhe poeti Blloshmi kishte ngecur keq tehu i propagandës komuniste. Sundimi i saj nuk do të zgjaste dot, nëse nuk shpëlante shpirtrat dhe mendjet e njerëzve. Kur e shkroi “Saharanë”, Blloshmi duhet të ketë qenë në të njëjtën gjendje që ka qenë Asdreni kur shkroi poezinë e tij “Lulëkuqja”. “Lulëkuqe e mjera Asgjëkundi s’ka shtëpi E shkon jetën në arrati...’ Çdo kohë e zezë e Shqipërisë lind në një mënyrë ose në një tjetër Rilindasin e saj, fëmijën e saj të dlirë që qan për fatin e zi. Saharaja e shkretë e Blloshmit, ashtu si Lulëkuqja e mjerë e Asdrenit, mbartim fort në kontekstin e tyre kritikat e kundërvëniet më të ashpra ndaj realiteteve, shoqërore, politike dhe historike. Që të dyja këto poema të krahasuara, nuk kanë vetëm elemente simbolike për gjendjen dhe raportet metaforike brenda një individi. Shtëpia e humbur e Lulëkuqes së Asdrenit, arratia metaforike e saj, ndërkohë që në natyrë ajo ngul mirë rrënjë, është po aq simbol politik e social për fatin e Shqipërisë, sa janë edhe metaforat e Vilson Blloshmit tek “Saharaja”. “Saharaja nuk ka miq e shok Saharaja nuk ka bijë, as bir” Saharaja është një copë tokë Thonë se dhe me natën nuk shkon mirë”. Pra, siç shihet në natyrë, Saharaja është vetëm një ranishte përvëluese, ndërsa miqtë, shokët, bijtë e bijat vinë në një kontekst tjetër. Ky këndvështrim që jam duke përqasur është i lidhur ngushtë me një lutje për ta lexuar të gjithë veprën e Vilson Blloshmit, sepse leximi i kësaj vepre na bën të kuptojmë se sa i qëllimshëm, i rrezikshëm dhe krimininal ishte vënia në gijotinë nga komunizmi e kësaj mendjeje të ndritur, dhe sa i rrezikshëm ka qenë komunizmi për kulturën tonë. Nuk kam dëshirë ta quaj vrasjen e dy poetëve thjesht një veprim absurd të atij regjimi, sepse shoh tek vepra e plotë e Vilson Blloshmit një kompozim artistik e ideomocional aq të lartë, saqë ajo na sjell gjithmonë kuptime të nënujshme, fjalë të ushqyera në një habitat të pasur intelektual e shpirtëror. Dhe ai e ka dëshmuar në vargjet e tij këtë pasuri: “Njeriu me shpirt të vërtetë Përfytyron në mënyrë fisnike Dhe përfytyrimi në mënyrë fisnike zbukuron deri në idealizëm Objektin e përfytyruar” (Fq.84.Vepra.I) Vilson Blloshmi është njeriu që aspiron ndriçimin e mendjes dhe të shpirtit në veten e tij, e pastaj te të tjerët, banorët e Saharasë-Shqipëri, shkretuar nga komunizmi. Dhe i gjithë ky shijim estetik, jo “analizë’, e as “aktekspertizë”, na lë të kuptojmë e mësojmë se protestat janë thellësisht të vetëdijshme, e vetëdijshme është alergjia që ai ka nga sistemi komunist, kundërvënia që bën. Vilson Blloshmi si zotërues i rrallë i retorikës, stilit dhe figuracionit ka zgjedhur mjetet e shprehjes si art, pa i zhyer ato me përdorjen e qëllimtë. Nëse ende s’kemi kuptuar se cilët shkrimtarë janë me të vërtetë disidentë, padyshim, nga vepra që ka lënë pas Blloshmi, mund të quhet, që nga sot, ai si përfaqësuesi më dinjitoz i disidencës në Shqipëri, të shpallur katërcipërisht në vepër. Blloshmi është disidenti i parë, zëri i parë, thirrja e parë kundër rrezikut të sundimit dhe ideologjisë komuniste, bindja e parë për lirinë e individit për t’u realizuar sipas meritave dhe i vetmi shkrimtar që nuk u detyrua të bëj disidencë, pasi të ishte mënjanuar nga një post i rëndësishëm në pushtetin e diktaturës, as ta kishte ndihmuar më parë atë. Është nga të rrallët që qëndroi edhe kur e dinte se ç’farë e priste, nëse nuk përkrahte ideologjinë. Ai ka lënë edhe një testament poetik që e dëshmon këtë: “Më mirë një jetë e zezë me faqe të bardhë, Se sa një jetë e bardhë me faqe të zezë”. Fq.V.I.fq 96. Disidenca e tij e lindur, fare lehtë mund të njësohet me veprën. Universalizmin e epërm estetik të poezizë së Blloshmit me detaje e ka përshkruar studiuesi Sadik Bejko, dhe sërish është meritë e tij që ka hedhur dritë edhe me faktet e mbledhura për këtë guxim-kundështi-disidencë të një poeti që edhe para gjykimit të tij, tha të vërtetën. Vetë poeti Blloshmi në poezi shprehet: “Nëse nuk mund brengës t’i bëj dot ballë Zjarr përsëri kam në shpirt të djegur Nëse i vdekur jam nga çdo i gjallë Mirë pra, më i gjallë jam se çdo i vdekur”. Çastet kur autori para gjyqit jep udhëpërshkrimin emocional e filozofik të poezisë që krijoi i kemi parasyve në vepër. Studiuesi Bejko shkruan se Blloshmi për këto vargje në gjyq ka pohuar se: “Jam thyer para dëshirës sime, para dëshpërimit tim, u bëra pesimist. Nuk jam llogaritur midis njerëzve dhe shokëve me të cilët bashkë mbaruam shkollën, por u llogarita midis klasave të vdekura, midis njerëzve të vdekur’. Nuk ka protestë më domethënëse se kjo për këtë dallim klasor para gjyqit, ku e thotë se ai jo vetëm ka bërë poezi, por edhe ka protestuar me shpirt ndaj atij realiteti, ka protestuar emocionalisht me brendinë e saj. Blloshmi nuk ka denjuar as të mbrohet, duke mos mohuar asgjë që rrjedh prej shijimit të kësaj poezie. Mendoni se e thotë këtë, e ku?! -Para gjyqit, kur duhet nga ana tjetër të mbrohej dhe të pohonte se kjo ishte thjesht një poezi, një gjendje “kot”. “-Unë kam dashur të them se jam më i gjallë se të vdekurit”,- sqaron trupën gjykuese Blloshmi. Kjo është sfidë e madhe për kohën, trimëri e jashtëzakonshme. Në sallën e gjyqit Blloshmi ecte kundër çdo avokatie mbrojtëse, kundër çdo alibie që t’i shpëtonte ndëshkimit të një gjyqi makabër. U thotë se “ky trajtim nuk më pëlqen dhe ndaj jam pesimist”. Po ç’do të thoshte kjo, që ky trajtim s’duhej t’i pëlqente as të tjerëve. Kjo ishte një akt-akuzë që përcillte zërin e pothuajse gjysmës së shoqërisë së deklasuar. Duhet edhe ky këndvështrim i ri, që të shihet poezia e Blloshmit si rrallë e ndonjë të disidenti që kemi menduar se është. Përballja ka dy ndikime të fuqishme, si poezi dhe si protestë. Prej të gjitha spektrave të dritës, dëshmojnë edhe këtë të fundit, disidencën, sepse studiuesit, estetetët më të mirë sot, si Sadik Bejko, S.Saphia, I.Shehu, e kanë zbuluar me detaje të parën, poetiken, estetiken, universalen në poezitë e tij, por nuk është theksuar fort që shprehja e disidencës është një simbiozë unikale dhe dëshmon teskajërisht se Blloshmi ishte vërtetë një kundështar i ndërgjegjshëm i regjimit komunist. Kush nënvlerëson këtë, qoftë edhe padashur, dhe pohon se regjimi i ra kot më qafë Vilson Blloshmit, ka nënvlerësuar martirizimin e tij. Është më mirë të themi të vërtetën, që komunizmi i mbyti me vendosmëri martirët e demokracisë, lirisë, dijes që ishin aq trima sa Vilson Blloshmi, që nuk harronte as në sallën e gjyqit të pohonte guximshëm shijet dhe pikëpamjet e tij: “Megjithëse Bodleri është dekadent, unë këtë fakt e di, më ka pëlqyer”. Censorin ky pohim do ta bënte bishë. Asnjë shfajësim, asnjë autokritikë në sallën e gjyqit. “Megjithëse këtë fakt e di”.., që do të thotë se ju nuk e doni, se ju komunistët e keni dënuar, censuruar, “unë e pëlqej”, d.m.th... unë ju sfidoj..! A s’është kjo përballje një disidencë? Në gjyq, Vilsoni nuk harron të theksojë se edhe kur bën përkthime, nxitet nga protesta për jetën e tij, nga kundërshtia e tij e brendshme, më e vërteta kundërshti ndaj realitetit që e detyron atë të përzgjedh këta, ose ata autorë botërorë, dhe asnjë autor të realizmit socialist. Gjyqi i Blloshmit, në 33 ditëshin e tij, i ngjan një inkuizicioni të madh legjendar. Studiuesi Bejko me shkak analizën përmbajtësore të veprës së tij thekson: “Krahasuar me brezin e tij, Vilson Blloshmi kishte pikëpamje të kundërta mbi artin dhe letërsinë, një përkushtim tjetër dhe të tjera shije letrare. Ai ishte i bindur se si letrar nuk do t’i takonte kurrë botës në të cilën jetoi. Ai hyn ndër ata që në botë i quajnë poetë të mallkuar. Fleta e shkrimit kështu shndërrohej në altar dhe ai që shkruante, flijohej aty me gjithsej”. Edhe pse e vështron krijimtarinë si estet, profesor Bejko e ka vëne re se: “jeta e tij dhe poezia shkrihen në njëra tjetrën. Poezia kështu ka peshën e jetës së tij, ka çmimin e kokës së tij të ekzekutuar nga tirania”. Edhe sikur të mos na mjaftonte koha për të analizuar me detaje të gjithë krijimtarinë e tij, mjafton akt-ekspertiza që iu bë asaj, për të pohuar pareshtur që çfarë Vilson Blloshmi e bëri vepër, ishte vërtetë disidente, por si një rast i rrallë kjo disidencë është e tjetërlloji, frymore, në mënyrë figurative dhe simbolike e ngjashme me atë të Krishtit të kryqëzuar. Do të mjaftonte, e pse të mos mjaftonte, edhe fakti që tre kritikë shumë të njohur të realizmit socialist, me karrierrë më të lartë letrare se ç’vlenin veprat e tyre, e sulmuan veprën e Blloshmit, e sulmuan artin e tij, poezinë e tij, shpirtin e tij të dlirë që nuk mund të ndotej nga ideologjia e as nuk mund të futej në sarkofagun e metodës krijuese soc-realiste. Pra, edhe sulmi ndaj veprës do të vetëmjaftonte për ta quajtur atë vepër disidente, sepse ajo u zbërthye deri në qelizë, ndaj u godit. Analiza e kësaj vepre u bë nëpërmjet një autopsie makabër. Ishte ky shkaku. Ishte kjo e vërteta që krijimtaria e tij nuk mund të ishte as soc-realiste, as materialiste, as idhtare e ndonje –izme, qoftë kjo edhe rrymë estetike. “Ky njeri kishte lindur për të derdhur energji të mëdha, dhe ai i kishte ato. Duke zotëruar realitetin e ashpër në saj të fuqive mbinormale fizike, duke e ndjerë veten të familjarizuar me disa nga poetët dhe mendimtartë e mëdhenjë francezë që kishte mundur t’i lexonte, duke e ndjerë veten të fortë për çdo pengesë, ai jetonte sa në Tiranë, sa në minierë, sa në tavolinën e shkrimit, duke pandehur se kjo energji prej rinie, prej shkrimtari atij nuk mund t’i merrej nga askush...”, shkruan S. Bejko. (Fq.71.V.I.Blloshmi) Nuk duhet krijuar bindja që Blloshmi bëri disa poezi lirike të thjeshta dhe e kanë vrarë kot. Komunistët, sigurisht, vrisnin edhe kot, por Blloshmin e kishin objektiv të piketuar shumë qartë. Tek-tuk, në mënyrë të pavetëdijshme, ndonjë studiuesi i ka rrëshqitur një hipotezë e tillë, që poeti u vra në mënyrë absurde, sepse bënte poezi “për vjeshtën, ose dashurinë”. Duhet të futemi në rrugën e njohjes së veprës së plotë të Blloshmit, ta njohim atë dhe të themi ashtu siç më tha një ditë vëllai i tij Bedri Blloshmi, pasi më dha veprën: “Ky është Vilsoni!”. Vilson Blloshmin, ata e ditën mirë pse e vranë. E ndiqnin, e përgjonin hap pas hapi, sepse e dinin mirë nga i vinte atij drita e diturisë. Komunistët ia mbyllën njëherë e përgjithmonë atë dritë, për të zezën e lirisë sonë, për të zezën e letërsisë sonë, që nuk e pati më rrugën aq të mbarë sa e kishte nisur një poet e përkthyes me dhunti gjeniu si Vilson Blloshmi. Vilson Blloshmi i kishte për zemër simbolet, sikur ta dinte se një ditë do të ishte simbol i të gjitha simboleve më të përparuara humane. Zbresim tek simbolika Duke i adhuruar simbolistët, Vilson Blloshmi ka një lidhje konkrete me simbolet. Tashmë simbolet e tij janë bërë kode të deshifrueshme letrare. Simbolika e natës në poezinë “Saharaja” dhe në një dorëshkrim poetik që mban datën 11 shtator 1975, është veshja që i bëhet obskurantizmit më të ri të shekullit që kaluam, komunizmit. “Të egër neve heshtnim në gji të natës qetë Për gaz e brengë e djall më fare s’bisedonim Mbi tëmtha hapi i kohës ndonëse na shkelte lehtë, Na shkrojti rëndë me thembër diçka për këtë jetë. Por oh u zhdukën fjalët, sa nisëm t’i lexonim”. (Faqe 108. V.I.Blloshmi) Mahnitesh nga retorika plot finesë me të cilën, ky rilindës i ri i epokës, përpiqet të ndjell jetën dhe dritën më mesin tonë. “Por oh, u zhdukën fjalët, sa nisëm t’i lexonim”, thotë ai me një lloj retorike gati biblike. Ai e ndjen frymimin e mistershëm të simbolistëve në shqisat e tij, ndaj përkthen: “Peshkomani kufomën, vetëdija pa u brejtur Dhe thomëni, ka më për të hequr torturë Ky trup i lashtë, pa shpirt, i vdekur ndër të vdekur”. Përkthim nga Bodler: “I vdekuri i gëzuar” (Breng dhe Ideal) Fq. 113.V.I. Blloshmi Ai e ndjen në shqisa makthin e përmbysjes tonë, ndaj përkthen: “Tani po shoh rremin dhe varkën fatale. Ndjej varkaxhinë e vjetër në brigjet infernale. Me padurim thërret: Po të presin, nxito: Hajde gjithçka është gati, zbrit shpejt mos vono” Nga “Ifigjenia” e Racine-it. Fq. 123.V.I.Blloshmi Ai nuk është penduar për misionin e tij, ndaj përkthen: “Mos e brengosni poetin, lira e tij është copëtuar Fjalë e fundit është thënë, kënga e fundit është kënduar” Përkthim nga Valter Skot. Fq.184.V.I Kur përkthente, padyshim që Blloshmi përzgjidhte, dhe parapëlqente simbolikën që i donte shpirti i tij. Le t’i marrim edhe këto vargje si një testament tjetër të Blloshmit me firmën e Valter Skot. Jemi në vitet ‘72 dhe Vilson Blloshmi është ende një i huaj për botën dhe dogmën komuniste, por si i shtëpisë për botën dhe kulturën perëndimore. Kur procesi i soc-realizmit në art kishte hedhur vërtetë rrënjët në Shqipëri, ai i shkruan së kushërirës, piktores së madhe Lume Blloshmi: “U bëra ca ziliqar kur mora vesh se po lexoje “La mort dans l’ame” të Zhan Pol Sartrit, përfaqësuesit më të madh të ekzistencializmit, këtij artisti të vërtetë që ka lëvruar në të gjitha gjinitë letrare dhe ka pasur suksese të mëdha në të gjitha: si romane, drama, poema, proza, novela, vepra autobiografike, kritikë, filozofi, etj...por suksesin e madh e korri në mendjemadhësi pikërisht në vitin 1964, kur refuzoi çmimin Nobel”. Fq. 177. V.I.Blloshmi. Informacione të kësaj natyre, dhe edukim të tillë kulturor, teorik e letrar fatkeqësisht brezi i ri e ka marrë vetëm pas rënies së komunizmit në vitin ’91, me pendesën e ndjerë se janë shumë të vonuar, ndërsa Blloshmi ishte në një hap me kohën, prirë nga kultura e Perëndimit. Në letrën dërguar sërish piktore Lumes, më 1973 shkruan: “Shpesh herë natyra lind njerëz fenomene: Eskili-njeriu dramë, Ajshtajni-njeriu shifër, Shekspiri-njeri literaturë. Bosnej-njeri Zot, Bodleri-njeriu breng. Si duket natyra desh ta shoh brengën me këmbë e me duar...”. Fq.179.V.I.Blloshmi. Marrëdhënia e Blloshmit me kulturën është e habitshme. Nëse lexon letrat e tij, ai duket sikur në asnjë kohë nuk ka jetuar në Shqipëri. Ai i donte të gjithë autorët, i kërkonte me ëndje shkrimet e tyre, nuk paragjykonte, justifikonte edhe ata që në pamje të parë dukeshin të urryer, ose që të prishnin humorin si puna e Bodlerit. Në vështrimin kritik dhe estetik që i bënte ai artit, letërsisë dhe shkrimtarit, ia kalonte një shkencëtari të madh. Në këto letra ndihet bërthama e postulateve të para estetike, të cilat dëshmojnë se nëse do të ishte gjallë, ai do të ishte bërë veç të tjerash dhe një studiues letërsie dhe kritik me vlera universale. Bota e tij, mendja e tij janë një urë fantastike e lidhjes me universin e kulturës botërore. Edhe kjo lidhje kaq e njësuar, kaq e ndjerë dhe universale me kulturën e përbotshme ishte një tjetër shkak që diktatura t’ia merrte jetën. Nga kultura letrare Vilson Blloshmi e kishte konkurruar prej kohësh Diktarorin Hoxha, që edhe pse jetoi në mesin e kësaj kulture në Francë nuk ia nxunë trutë, ndërsa Blloshmi që nga Bërzheshta, e kishte botën dhe kulturën e saj në pëllëmbë të dorës. Poeti, të madh e kishte dëshpërimin, sepse e pashmangshme ishte drama personale dhe ajo kolektive në komunizëm, por me mençurinë e tij, Blloshmi i jep kuptim dhe dinjitet çdo fjale të thënë, u jep kuptim dhe dinjitet edhe çasteve të mbrame të jetës së tij. Kushërirës së tij artiste, Lumes, i dërgon një përkthim të Francis Carco: “A është i vdekur, apo i gjallë/ Ai që sjell erën? Ai na ka folur shpesh Duke ardhur bashkë me erën Dhe ne e dëgjonim shpesh Është i vdekur, apo i gjallë ai që sjell erën?” fq.189.V.I. Kjo njihet si letra e fundit që i dërgoi piktores dhe simbolika i bashkohet qartë asaj parandjenje të pareshtur se ai s’do të ishte më në jetë. Dënimi, “helmi estetik” në hetuesi “Në këto blloqe, ka shënime të ndryshme në formë proverbash, fjalë dhe shprehje të ndryshme të mbledhura andej dhe këndej, të përkthyera në gjuhë të huaja”.f,186.V.2. Dhe M. Xhaxhiu duket sikur mezi ka pritur ta bëjë aktekspertizën. Naivi duhet të ketë qenë xheloz me kulturën e Blloshmit, sepse pa asnjë argument të fortë shkencor akuzon me fjalët më të përshtatshme që i duhen një gjyqi komunist për ta dënuar poetin. “poezitë flasin qartë për një tendencë nihiliste, pesimiste, flasin për mërzitjen, për vdekjen, mohojnë jetën, shkruan ai, dhe së fundi shkruan idiotësinë më të madhe që është parë në rrafshin estetik, që “poezitë e Blloshmit mohojnë kuptimin e punës së dobishme”. (Po aty). Xhaxhiu duhet të jetë mahnitur nga antologjia e poezisë frënge që kishte Vilsoni, por mezi ka pritur rastin ta quaj fajtor edhe për këtë. “Vjershat në frëngjisht janë të autorëve dekadentë, regresivë, pesimistë, reaksionarë”, thoshte ai dhe justifikohej se në Shqipërinë komuniste “nga këta autorë nuk është përkthyer asgjë, sepse kanë përmbajtje reaksionare” (Po aty). Të lexosh veprën e Vilsonit, kupton motivin pse shteti, udhëheqësit dhe komunistët e këtij shteti e patën në shënjestër Vilsonin. Ai ishte një diell që u vriste sytë, nuk i linte të qetë të punonin në natën e zezë. “Saharaja” edhe me natën nuk shkon mirë”, shkruante poeti. Ajo që të le pa mend, është cinizmi me të cilën, jo policia e shtetit, por vetë shkrimtarët e çuan Vilson Blloshmin drejt vdekjes. Gjuha e tyre në aktekspertizën që i bënë “Saharasë” ishte e njëjtë, kopje të njëri tjetrit, ishte gjuha e kërkuar, helmi i gatshëm që ua kishte lënë në dorë Sigurimi. Edhe “eksperti letrar”, K. Petriti thotë të njëjtat fjalë. “Vjersha ka frymë pesimiste, nihiliste, ka përmbajtje reaksionare”. Fq190.V.II. E njëjta gjuhë është përdorur edhe nga shkrimtarja Diana Çuli. Këta të tre ishin breshëria e parë e plumbave që ranë mbi shkrimtarin, përpara plumbit më të fundit që i mori jetën. Mënyra se si po ndëshkoheshin poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka na çon drejt zgjidhjes së “enigmës së kulturës shqiptare”, ku ka nisur të na drejtoj sakt studiuesi i njohur Sabri Hamiti. Në librin e tij “Albanizma”, në kapitullin “Diaspora shqiptare”, fq. 43, Sabri Hamiti, pasi hedh një vështrim mbi krijuesit e diasporës dhe rrëfen momentin e ndritur kur krijuesit më të mëdhenjë shqiptarë vendosën të jetojnë e krijojnë në Shqipëri, njëherësh na tregon dhe fatkobin tonë duke shkruar se: “Mirëpo Shqipëria nacionale e shekullit të 20-të mbeti e ndarë, e përgjysmuar, dhe ky përgjysmin (duke prodhuar karaktere ekstreme, apo egërsimin e kthyer në vullnet të çeliktë pushtetor), bëri që toka shqiptare të mos jetë ambjent i përshtatshmëm për shkrimtarët dhe dijetarët e vet të mëdhenj.” Pasi rrëfen se në ç’mënyrë të dhunshme Shqipëria kthehet në një shtet ideologjik “për të prodhuar karikaturën e fuqisë së pushtetit që përfundon me dhunë, në shpikje kundërshtarësh të brendshmëm, të cilët duhet të kundërshtohen, madje të likuidohen….!”, Sabri Hamiti ka parashtruar pyetjet e hidhura: “Pse, pra, u përjashtua Fishta, kur qe bërë vetë ai një institucion kultural nacional; Pse erdhi, veproi dhe u arratis Fan Noli, kur ëndërroi Shqipërinë e përparuar; Pse s’u kthye për të gjallë Faik Konica, ndoshta intelektuali më i madh i shekullit. Ku mbaroi i fundit i Frashërve, Mithat Frashëri, që krijoi një bibliotekë nacionale, pasi erdhi nga Stambolli; Pse mbeti jashtë Asdreni, që inaguroi kalimin në letërsi moderne shqiptare; Pse nuk u kthye përjetë Andon Zako Çajupi që këndoi e vajtoi Shqipërinë?”. Pikërisht ku Sabri Hamiti i ndal këto pyetje të hidhura, unë do të shtoja një tjetër pyetje të hidhur: Pse u vranë poetët Blloshmi e Leka? Nuk është fjala që t’ia jap unë përgjigjen e plotë, por bëhet fjalë të qëndrojmë te enigma dhe misteret e zgjidhjes së saj që ka përgatitur më parë Sabri Hamiti, sepse të njëjtat përgjigje dhe hipoteza përskaj kësaj enigme na zgjidhin edhe enigmën e ndëshkimit të dy poetëve në moshë shumë të re. “Apo mos paqëndrueshmëria e tyre në Shqipëri ka të bëjë me një moskuptim, mospëlqim edhe personal, ndërmjet Shqipërisë së ëndrrës nacionale e politike me Shqipërinë reale të detit dhe të dheut”, aludon S.Hamiti. Përderisa ne nuk do të vendosim të zbulojmë krijimtarinë e intelektualëve të sipërmendur, përderisa ne ende nuk do ta njohim atë, kjo enigmë në derën e së cilës ka trokitur studiuesi Sabri Hamiti, do të na mundojë, por edhe do të na lëndojë për një kohë të gjatë, ndaj unë vazhdoj të këmbëngul që t’u kthehemi këtyre veprave, t’u referohemi atyre në të gjitha shprehimitë letrare dhe estetike, nacionale dhe historike, me qëllim që mosdurimi dhe përjashtimi i të mëdhenjëve nga Shqipëria të mos ndodh edhe më vonë, ashtu siç ka ndodhur me Ernest Koliqin, Mitrush Kutelin, Ethem Haxhiademin, Lasgush Poradecin, Anton Pashkun e Selman Rizën, të cilët siç pohon studiuesi Hamiti “morën arratinë e jashtme, apo izolimin e brendshëm”. “Duaje atdhenë edhe kur të vret”, shkroi me dhemshuri Mitrush Kuteli në testamentin e vet. “Mos të harrojmë që fenomeni nuk ka mbaruar as me Bilal Xhaferin dhe Ismail Kadarenë”, thekson Hamiti në librin e tij “Albanizma”. Dhe unë do të shtoja që, të mos harrojnë se ky fenomen ka ndodhur jo rrallë herë për shkak të krimeve komuniste ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, në përballje të përhershme me qëndresën antikomuniste kombëtare, e cila më së shumti shprehej nëpërmjet intelektualit, krijuesit, të cilit siç e dimë të gjithë, atij edhe i pritej më parë koka. Ndaj e kam theksuar dhe e them, përfshi së fundi edhe pozicionin tim si politikan se nuk ka Kujtesë Historike, pa dekomunistizimin e saj. Këtij “udhëtimi” në veprën e Vilson Bloshmit dhe Genc Lekës, desha t’i mëshoja me një një indikacion më konkret dhe të drejtëpërdrejtë në këtë auditor, pra: Nuk ka Kujtesë Historike, pa dekomunistizimin e saj

No comments:

Post a Comment