Jun 27, 2010

Dy gomarët, më falni se u shpreha alegorikisht, doja të thosha nga dy palët,

Gjithmonë është folur e shkruar për parashikuesit e të ardhmes së njerëzimit; një ndër këta ka qenë, sigurisht, edhe Nostradamusi, mjek dhe astrolog frëng i shekullit XVI që botoi, në vitin 1555, një libër plot parashikime thuajse të padeshifrueshme me titull “Centuries astrologiques” (Qindëshet astrologjike). Në këtë libër, ai nuk parashikoi ndonjë gjë për Shqipërinë, aq më pak për zhvillimet në skenën politike shqiptare të vitit 2009 apo 2010. As pasardhësit e tij të denjë nuk u morën e nuk po merren, të paktën me sa isha i informuar deri para dy-tri ditësh, me atdheun dhe popullin tim të dashur, me klasën politike të vendit tim, me Presidentin e Republikës, me kryetarët e dy partive më të mëdha të vendit, për marrëdhëniet (ar)miqësore pozitë-opozitë etj., etj.


Por, pikërisht para dy-tri ditësh, ashtu siç sapo e përmenda, tek shfletoja “Fabulat” e frëngut La Fonten, pra, të këtij fabulisti botërisht të njohur e të përkthyer pjesërisht edhe në shqipe nga mjeshtra të penës si Naim Frashëri, Andon Zako Çajupi, Vedat Kokona, Omer Nishani e Sotir Caci, sytë më ngecën tek një fabul, përmbajtja e së cilës m’u duk një alegori dhe parashikim tejet interesant për atë çka mund të ndodhë në Shqipëri gjatë zgjedhjeve të vitit 2011. Bëhet fjalë për fabulën “Një gomar ngarkuar me sfungjer dhe një gomar ngarkuar me kripë” shqipëruar nga Çajupi. Ja, përmbledhtas, për çfarë bëhet fjalë: I zoti i këtyre dy gomarëve po shkonte në pazar për të shitur mallrat në fjalë; vetë ia kishte hipur gomarit me sfungjer, se ishte më pak i ngarkuar si ai që mbante kripën. Tek rrugëtonin, u del përpara një lumë: gomari me kripë mend mbytet në një gropë të thellë nga që kishte peshë të rëndë, por kripa tretet në ujë dhe veshgjati shpëton; gomari me sfungjer, i ngarkuar edhe me të zotin, tek ndjek verbas gomarin tjetër, për pak sa nuk mbytet sepse sfungjeri erdhi e u bë plumb i rëndë ngaqë thithi ujë, duke vënë në rrezik edhe jetën e të zotit. Për fat të mirë, dikush ia behu dhe i shpëtoi që të tre; morali i kësaj fabule është i thjeshtë: në jetë nuk duhet ecur verbas në gjurmët e të tjerëve!

Mendimi im është se, në këtë fabul, La Fonteni ka parashikuar (si alegori apo si profeci, merreni si të doni, o lexuesit e mi të vëmendshëm e të paanshëm!) atë që unë, druaj se vërtet mund të ndodhë gjatë zgjedhjeve të vitit të ardhshëm në Shqipëri. Po shpjegohem:

Më ngjan se i zoti i dy gomarëve, në gjuhën alegorike të La Fontenit, këtij pasardhësi besnik të Ezopit të famshëm, nuk mund të jetë veçse Presidenti i Republikës që parapëlqen gomarin me sfungjer, pra, alegorikisht, që mbështetet te pozita, ; gomari i ngarkuar me kripë, pra, alegorikisht opozita, ecën vetëm, pa mbështetjen e ndoshta pa besimin e presidentit, por nën vëzhgimin e tij; lumi që u del të treve përpara është momenti i zgjedhjeve të 2011-s; gomari me kripë bie në një gropë të thellë me ujë, por shpëton se kripa është e tretshme në ujë pikërisht, çka mund të interpretohet, gjithmonë alegorikisht, se angazhimet që ka marrë para elektoratit të vet, por sidomos para presidentit, do t’i marrë lumi dhe, rrjedhimisht, do të treten si kripa në ujë. Nga ana tjetër, gomari me sfungjer, alegorikisht pozita, duke ndjekur verbas gomarin me kripë, alegorikisht opozitën (“verbas” në kuptimin që do të kërkojë t’i përgjigjet flakë për flakë ose, më saktë, “Dushk” për “Dushk” në manovrimet zgjedhore), mund të rrezikojë të mbytet duke marrë me vete edhe presidentin e dalë nga radhët e saj. Situata, në fabul natyrisht, do të kishte qenë mirëfilli tragjike sikur “dikush” të mos kishte ardhur me vrap për t’i shpëtuar që të tre, dy gomarët dhe të zotin e tyre. I bie, pra, alegorikisht ta pret mendja, që “dikush” të vijë të shpëtojë edhe presidentin, edhe pozitën, edhe opozitën në Shqipëri nga situata e vështirë zgjedhore që rrezikon të krijohet. Kush mund të jetë ky dikush? Pa dyshim faktori ndërkombëtar, që do të bëjë çmos që zgjedhjet të zhvillohen normalisht, që të mos ketë shumë kundërshtime, pra, as mospranim të rezultateve, nga të dy gomarët, më falni se u shpreha alegorikisht, doja të thosha nga dy palët, por fajin për këtë gabim timin të pavullnetshëm e ka dhe nuk mund ta ketë veçse La Fonteni që shkruan fabula të tilla të paturpshme, që i përshtaten më së miri gjendjeve parazgjedhore, zgjedhore e paszgjedhore në Shqipëri!

ILIRJAN BLLOSHMI New Jersey SHBA

1 comment:

  1. Urime per kete shkrim Ilirjan, presim me teper shkrime ne te ardhmen!

    ReplyDelete