Jun 27, 2010

Fajin e ka Lafonteni

Oh, mos u shqetëso, i dashur lexuesi im i vëmendshëm e i paanshëm, nuk bëhet fare fjalë (sidomos tani që jemi anëtarë të NATO-s me të drejta të plota) për ndonjë rrezik që i kanoset flamurit tonë kombëtar, asnjë shpend nuk do të guxonte ta zëvendësonte shqiponjën tonë atje, aq më pak korbi, sepse do t’i duhej, ndër të tjera, të kishte të paktën dy koka. Jo, bëhet fjalë për një titull fabule që unë po ia huazoj frëngut La Fonten. Por, që të më kuptosh qartë, së pari, po ta përmbledh fabulën shkurtimisht:


Një korb pa sesi një ditë shqiponja u lëshua si rrufe mbi një kope dhensh dhe rrëmbeu një dash. Korbi, shpend mishngrënës gjithashtu, po aqa i babëzitur sa shqiponja, por fizikisht shumë më i dobët se ajo, ia vuri syrin dashit më të dhjamur të kopesë dhe deshi të ndiqte shembullin e shqiponjës. Vazhdimi merret me mend: korbi jo vetëm që nuk arriti ta ngrinte lart viktimën e zgjedhur, por i ngecën kthetrat në leshin e tij, çka i dha mundësi bariut ta kapte të gjallë, ta fuste në një kafaz dhe t’ua shpinte dhuratë fëmijëve të vet që të zbaviteshin me të.

Sigurisht, ty, i dashur lexues, të mbetet ta interpretosh sipas mendjes e qejfit tënd, këtë fabul, e cila, si tërë fabulat e denja për këtë emër, ka një nënkuptim, pra, një moral, që nxirret vetëm duke e lexuar atë midis rreshtave. Gjithsesi, mos u nxito të më gjykosh duke menduar se kam ndër mend të ta qartësoj këtë nënkuptim apo moral, sa më larg meje një mëtim i tillë, sepse secili prej nesh ka mendjen e vet.

Sot unë dua të merrem vetëm me katër-pesë personazhet e fabulës dhe aspak me moralin e saj. Të merrem si gjuhëtar modest që më duket se jam. Thënë ndryshe, duke gjetur fjalë të përafërta nga kuptimi, d.m.th. sinonime, me emrat e katër-pesë personazheve, duke pasur vazhdimisht parasysh jo kontekstin historik të shekullit XVII në Francë, por aktualitetin e Shqipërisë në shekullin XXI. Për të më ndihmuar në këtë ndërmarrje hulumtuese, iu drejtova së pari komshiut dhe mikut tim të vjetër që, politikisht rreh majtas, pastaj, mikut tim emigrant i, që politikisht rreh djathtas dhe, së fundi, kolegut e mikut tim të ri i, që rreh përherë përpara, jo vetëm politikisht, por sidomos edhe erotikisht, për vetë mënyrën sesi tingëllojnë të thënë shpejt njëri pas tjetrit emri e mbiemri i tij.

I pari e identifikoi Shqiponjën me Presidentin, Kryeministrin ose edhe me kryetarin e Partisë Socialiste; Korbin me secilin prej kryetarthëve të minipartive të djathta; dhentë me biznesmenët që, duan apo s’duan, e ndihmojnë Partinë Demokratike me fonde veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore; Bariun me fatin tallës dhe fëmijët me turmën e rëndomtë të qytetarëve të thjeshtë.

I dyti e identifikoi Shqiponjën me Kryeministrin ose me kryetarin e Partisë Demokratike; Korbin me secilin prej kryetarthëve të mikropartive të majta; dhentë me biznesmenët që, duan apo s’duan, e ndihmojnë Partinë Socialiste me fonde veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore; Bariun me pushtetin e katërt, pra, me mediat, dhe fëmijët me opinionin publik që, i mirinformuar nga mediat, qesëndis me ata që e meritojnë një gjë të tillë.

I treti e identifikoi Shqiponjën me gjithë njëshat e gjithë regjimeve politike që ka njohur Shqipëria që nga koha e Skënderbeut; Korbin me secilin prej kryetarthëve të mikropartive të majta e të djathta, me secilin prej nënshefave ose zëvendësshefave, nënzëvendësshefave, vartësve të gjithë shkallëve të çdo hierarkie shtetërore, publike, gjysmëpublike, private, fetare, joqeveritare, jofitimprurëse etj., etj.; dhentë me gjithë deshët e pjekshëm dhe delet e mjelshme viktima të mundshme të Shqiponjës presidenciale ose kryeministrore; Bariun me Erosin, pa të cilin nuk mund të ketë as jetë të organizuar, as orgazëm të përjetuar në këtë botë, kurse fëmijët me dëlirësinë dhe kurajon e pavetëdijshme e njërit syresh që, sipas Andersenit, tha se Mbreti, në rastin tonë Shqiponja, ishte lakuriq, kaq lakuriq saqë, po të mos jesh fëmijë, e sheh të veshur me qyrk eskimezësh.

No comments:

Post a Comment